Haradinaj bën homazhe në Ribar të Vogël për martirët e 18 prillit: Krimet serbe nuk harrohen

12:30 | 18 Prill 2026
haradinaj-ben-homazhe-ne-ribar-te-vogel-per-martiret-e-18-prillit:-krimet-serbe-nuk-harrohen

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe sot në Ribar të Vogël të Lipjanit, në nderim të martirëve të 18 prillit 1999, duke kujtuar një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë.

Haradinaj theksoi se më 18 prill 1999, forcat shtetërore ushtarake serbe kryen një nga krimet më të rënda ndaj popullatës civile, ku u vranë 25 civilë të pafajshëm, 19 banorë të fshatit dhe 6 nga Vërsheci. Sipas tij, viktimat ishin të moshave nga 6 deri në 92 vjeç, ndërsa 7 persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Ai rikujtoi se prilli i vitit 1999 mbetet ndër muajt më të dhimbshëm për shumë familje shqiptare, veçanërisht në Llap dhe Gollak, ku mbi 124 civilë të pafajshëm u vranë nga forcat serbe. Po atë ditë, në Devë të Gjakovës, u ekzekutuan edhe 7 vëllezër nga familja Bobi.

Haradinaj nderoi edhe dëshmorët e rënë në Marec, Makoc dhe Sllovi, si dhe luftëtarët e rënë në zonat operative të Llapit, Drenicës, Dukagjinit dhe Anadrinit, duke përmendur me respekt emrat e tyre dhe kontributin në luftën për liri.

Po ashtu, ai përkujtoi edhe rënien e luftëtarëve në Gradinë të Drenicës, të cilët ranë në mbrojtje të pikave strategjike të luftës.

“Liria jonë është e ndërtuar mbi sakrificën e tyre dhe kjo na obligon ta ruajmë e ta forcojmë çdo ditë”, shkroi Haradinaj.

Komento: