Haradinaj del me propozim të ri për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

11:21 | 11 June 2019

Ramush Haradinaj ka dal me një propozim të ri për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një marrëveshje kornizë për atë se për çka mund të merren vesh Kosova e Serbia është e domosdoshme për të ecur përpara procesi i dialogut.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka folur edhe për Samitin e Parisit, me ç’rast ka thënë se mund edhe të mos mbahet, por ka shtuar se jo për shkak të Kosovës.

“Është shumë me rëndësi që të kemi një pozicion krijues si Kosovë. Kemi punuar si Kosovë në pozicionin tonë për temat. Sa na përket ne, Samiti i Parisit mund të mbahet. Mendojmë se për të ecur përpara, një marrëveshje kornizë për atë që duhet të merremi vesh është e nevojshme. Jo vetëm për Paris, që mund të mos ndodhë jo për shkak të Kosovës, por edhe në vjeshtë nëse kthehet dialogu te përfaqësuesi i ri i lartë pas Mogherinit, duhet një kornizë që të dihet për çka do të dialogohet. Pa këtë kornizë të njohjes reciproke Kosovë-Serbi ku janë elementet, s’ka logjikë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova e Serbia kanë marrëveshje për menaxhim të integruar të kufijve dhe nuk mund të kuptojë përse akoma flitet për çështjen e kufijve.

“Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për IBM, prej vitit 2013. IBM është menaxhim i integruar i kufijve. Kur po pyet dikush për cilët kufij e kemi fjalën? E kemi për këta të IBM-së. Kemi marrëveshje. Ka investuar edhe BE-ja. Ka edhe ndërtesa nëpër kufij. Kosova e Serbia kanë marrëdhënie të avancuara në menaxhimin e integruar të kufijve. Kanë marrëveshje ndërkombëtare. E pra s’mundet Kosova të kthehet prapa e të ridiskutojë IBM-në. Është marrëveshje që duhet zbatuar tashmë”, ka thënë Haradinaj.

Për këtë ai ka shtuar se duhet një marrëveshje kornizë se për çka do të diskutohet në dialog. Sipas tij, ajo do të ishte garancë a do të ketë dialog apo jo.

“S’ka nevojë për dialog për turizëm, por për një marrëveshje kornizë për çka do të flasim. S’di pse dikush duhet të më flasë për kufijtë të Kosovës, kur kemi IBM të nënshkruar. Pse të flasim, pse kemi bë marrëveshje atëherë”, ka deklaruar më tej ai.

Komento: