Haradinaj: Dështimi më i madh i qeverisë është izolimi dhe stagnimi i vendit tonë

10:44 | 15 December 2024
haradinaj:-deshtimi-me-i-madh-i-qeverise-eshte-izolimi-dhe-stagnimi-i-vendit-tone

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se dështimi më i madh i qeverisë Kurti është izolimi dhe stagnimi i vendit tonë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai thotë se Kosova është më e vetmuar se kurrë në arenën ndërkombëtare, dhe sipas tij, qytetarët po vuajnë pasojat e një udhëheqje të paaftë që as nuk e kupton e as nuk di ta menaxhojë situatën.

“Dështimi më i madh i kësaj qeverisje është pikërisht izolimi dhe stagnimi i vendit tonë. Sot, Kosova është më e vetmuar se kurrë në arenën ndërkombëtare, ndërsa qytetarët tanë po vuajnë pasojat e një udhëheqje të paaftë që as nuk e kupton e as nuk di ta menaxhojë situatën”.

Kreu i AAK-së thotë se programi i tij parasheh rritje të pensioneve të veteranëve dhe atyre të moshës në 500 euro që në vitin e parë të qeverisjes.

“Pakoja për Mirëqenien e Familjes” do të sigurojë shtesa për fëmijë dhe lehona, përkujdesje për të moshuarit, mbështetje për personat me nevoja të veçanta dhe banim për çiftet e reja. Nuk do të lejojmë që rinia jonë të largohet – do të krijojmë mundësi reale punësimi përmes projekteve konkrete që sjellin rezultate të menjëhershme. Kosova do të fitojë, sepse e meriton më të mirën”, ka shkruar ai.

Komento: