Haradinaj e kritikon Mustafën, reagon Avdullah Hoti

16:11 | 01 Mars 2019

Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur të premten, e ka kritikuar edhe ish-kryeministrin Isa Mustafa, se si aq shpejt e kanë pranuar kushtin e Serbisë, dhe po kërkojnë heqjen e taksës.

Sipas Hotit, këto deklarata të Haradinajt e dëshmojnë që ai ka probleme të brendshme me partnerët e koalicionit, por thotë se kjo nuk i jep të drejtë atij që të fyejë opozitën.

“Duket qartë që Haradinaj ka probleme me partnerët e tij të koalicionit. Por, kjo nuk i jep atij të drejtë të fyejë opozitën”, ka thënë Hoti.

Ai thotë se nëse LDK-ja do t’i kishte pranuar kushtet e Serbisë, atëherë Kosova sot nuk do të ishte shtet i pavarur.

“Po t’i pranonte LDK-ja kushtet e Serbisë, siç deklarohet pa asnjë argument Haradinaj, Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur. Për tri dekada kemi besuar në shtetin e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Haradinaj sot në një paraqitje para mediave ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se e ka orkestruar presionin diplomatik ndaj tij për heqjen e taksës.

Ai ka akuzuar edhe kolegët e tij të koalicionit, Veseli e Limaj, që kanë hequr shpejt dorë nga taksa, ndërsa nuk e ka kursyer as Isa Mustafën.

“Unë habitna edhe në Isa Mustafën, edhe në Thaçin, Veselin, e Limajn. Pse kaq shpejt me i pranu kushtet e Serbisë, qysh na me shku me kushte në tavolinë. Unë kam thënë se jam për pezullim, por pasi të shohim marrëveshjen se çka përmban, dhe jemi të sigurt në këtë marrëveshje e pezullojmë. Por nuk e pezullojmë sa për turizëm”, kishte thënë Haradinaj.

Komento: