‘Haradinaj e Pacolli na bënë horë’

11:13 | 06 July 2019

Ish-ambasador Sabri Kiçmari thotë se Haradinaj e Pacolli na bënë horë.

Ish-ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, ka kritikuar qëndrimet kundërthënëse të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, në lidhje me lejimin apo jo të zyrtarëve nga Beogradi për të hyrë në Kosovë.

Në rrafshin ndërkombëtar, thotë se Haradinaj e Pacolli ‘na bënë horë’.

“Kryeministri dhe Zëvendëskryeministri na bënë horë edhe në rrafsh ndërkombëtar. Njëri thumbit e tjetri potkoit në lidhje me ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë. Dy qëndrime të ndryshme për një çështje aq të rëndësishme. Ky vend kurrë nuk ka qenë i përfaqësuar në mënyrë më të papërgjegjshme! Kosova nuk është kaq e dobët as intelektualisht dhe as politikisht, sa të bie në këtë nivel përfaqësimi. Njerëzit e mirë të këtij vendi, intelektualët dhe luftëtarët e ndershëm të lirisë, duhet të ngrisin zërin, për të mos njohur këtë gardë politike të papërgjegjshme në raport me kombin dhe shtetin tonë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme bëri njoftim se Kosova ua ka ndaluar të gjithë zyrtarëve nga Beogradi hyrjen në Kosovë.

Por një ditë më pas, të kundërtën e tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Nga zyra tij doli lajmi se Qeveria e Kosovës, s’ka marrë asnjë vendim që t’ua ndalojë hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë.

Komento: