Haradinaj: Edhe nëse nuk voton pro liberalizimit, Franca s’do ta bllokojë procesin

16:32 | 02 Korrik 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Franca edhe nëse nuk do të votojë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, ajo nuk do ta bllokojë procesin.

“Franca nuk e bllokon ecjen përpara në agjendë edhe marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nëse mundem me vizitu edhe Hagën me bisedu edhe me ministrin holandez, do të shkojë edhe atje, kësaj here jo në burg por me bisedu me ministrin e brendshëm për temën e vizave”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.

Ai ka theksuar se e ka ëndërr jetësore mbylljen e temës së vizave.

“Ne e fituam një vendim i cili është tepër i rëndësishëm që nuk bllokon Franca, edhe nëse nuk voton të paktën nuk bllokon. Mundësitë janë reale se mund të ketë një votë pro. Por çështja e vizave për Kosovën njëherë, nuk është pikë e rendit të ditës në Këshillin të Evropës”, ka deklaruar kryeministri.

Sa i përket situatës në veri, Haradinaj ka thënë se është një skenar tepër primitiv dhe i shekullit të kaluar.

“E pabesueshme se si në Serbi ka këso logjike, Vuçiq është ideator i këtij skenari. Ai donë me realizu destabilizimin e veriut duke improvizuar një krizë humanitare, është skenar tepër primitiv. Unë sot e kam lut si fqinj të mos e zbatoj këtë skenar, se nuk ka si të fshihet nëse e bën këtë. Kosova e zbaton rendin dhe ligjin, besoj se e kanë marrë porosinë deri tash”.

Tutje, Haradinaj ka shtuar se situata në veri është duke u monitoruar nga autoritetet kosovare.

“Situatën në veri e kemi në monitorim dhe ju siguroj se jemi në nivel të punës nuk do të na befasoj asnjë veprim. Skenarin e kam paralajmëruar direkt unë, se e kam pa që nga ana tjetër është presidenti i Serbisë. Ky skenar është vazhdim i atyre që në tavolinë kanë dashtë me nda Kosovën, është mirë ta marrin mësimin që është dashtë me marr deri tash. Kosova nuk mund të ndahet. Munden me shit mall në Kosovë duke e njoh atë në kufijtë ekzistues. Do bëjmë përpjekje me i siguru serbët e veriut, që Kosova iu del në ndihmë”.

Komento: