Haradinaj flet edhe njëherë për Çakorrin, thotë se e kemi mbrojtur tokën tonë

16:24 | 18 August 2019

Haradinaj ka folur edhe njëherë për Ҫakorrin.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ka arritur që ta mbrojë të drejtën e Kosovës që kufirin ta ketë në Kullë e Çakorr, duke shtuar se për këtë ka edhe dakordimin e kryeministrit malazez.

Ai gjatë ceremonisë së përkujtimit të Zeqir Dreshajt, tha se ai ka qenë zëri i rugovasve për mbrojtjen e tokës.

“Në nderim të Zeqir Dreshajt, njeriut që u bë zëri i rugovasve në mbrojtje të së drejtës në tokën e tyre dhe kufirit të Kosovës. Ky nderim është zotim se amaneti i bacës Zeqë do të jetësohet” shkroi Haradinaj.

Ndërsa duke folur për tokën të cilën Dreshaj e ka mbrojtur, Haradinaj tha se ka punuar drejtë korrigjimit të vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë që kufiri mes dy vendeve të jetë në Kullë e Çakorr.

“Ne kemi arritur që ta mbrojmë tokën tonë me të drejtën e korrigjimit të sektorëve në drejtim të Kullës e Çakorrit dhe me Kryeministrin e Malit të Zi, jemi dakorduar që Komisionet Ndërshtetërore të fillojnë punën në afat optimal” shkroi Haradinaj.

E ai për këtë ka thënë se është borxh ndaj vendit.

“Këtë ia kemi borxh Kosovës, burrave si Zeqir Dreshaj dhe rugovasve” tha ai.

Komento: