Haradinaj ka thënë se lëkundjet në politikë po bëhen për t’u treguar ndërkombëtarëve që nuk jemi rehat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rënies së 14 dëshmorëve në Shishman të Bokës.
Duke kujtuar sakrificën e këtyre dëshmorëve, ai ka thënë se dëshmorët nuk pranuan që ta përcjellin luftën nga distanca, por të gjithë kishin dëshirë të bëheshin pjesë e luftës.
”Vetëm treva jonë e afërt pa u zgjeruar, i ka plagët dhe dhimbjet, por ne bashkohemi sepse jemi njerëz, kemi vetëdije, dimë të ndjejmë dhe të shprehim një respekt të përbashkët për këtë sakrificë, e cila vazhdon në Meje dhe në gjithë vendin”.
“Ata jo vetëm se kanë sjellë armë, e që mungonin shumë, por ata kanë ardhur për të luftuar vetë, në mënyrë që të mos i lënë të vetëm djemtë që luftonin në kushte jo të lehta në luftën e pamëshirshme që ndodhte në Dukagjin”, citohet të ketë thënë Haradinaj.
Sipas Hardinajt, lëkundjet që po ndodhin në politikë nuk e kanë qëllimin e një gare të brendshme, por për t’u treguar miqve ndërkombëtarë që populli nuk është rehat.
“Disa tronditje dhe lëkundje që po ndodhin në politikë, nuk e kanë qëllimin që të bëhet garë e brendshme se kush ka të drejtë, por për t’i treguar vetës së pari, por edhe miqve dhe të tjerëve se nuk jemi rehat, sepse nuk ka përfunduar puna në të drejtën tonë”.
“Është mirë që kemi ecur përpara me ushtrinë dhe me disa tema tjera, por ende nuk i kemi kryer gjitha punët e vendit. Nuk është mirë që njerëzit tanë të dorëzohen pak para arritjes. Nuk jemi ndalur asnjëherë dhe nuk bënë të heqim dorë nga drejtimi dhe nga qëllimi ynë që të jemi vetvetja edhe ne si popujt tjerë. Besoj se na kanë kuptuar mirë dhe do të na kuptojnë, sidomos miqtë tanë, NATO e prirë nga Amerika. Ju siguroj se do të na kuptojë dhe do të na përkrahë, por edhe ne duhet të jemi të vendosur në drejtimin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Një fjalë para të pranishmëve në këtë akademi e ka mbajtur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërsa në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti Blerim Syla.