Haradinaj flet sërish për ҫështjen e demarkacionit, kë po e quan gënjeshtar?

13:36 | 20 April 2019

Është mbajtur akademia përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve të Brigadës 136 “Rugova” në Rugovë, ku mori pjesë edhe Ramush Haradinaj.

Haradinaj foli edhe çështjen e demarkacionit duke thënë se janë gënjeshtarë të gjithë ata që thonë se Kosova i ka falë tokë Malit të Zi.

“Të gjithë ata që thonë se ne kemi falë Çakorr e Kullë janë rrenca, janë po të njëjtin që kanë shti pyka në historinë e kombit shqiptar. Nuk është ashtu.

“Kuvendi me një të çuar dore ka votuar tre dokumente; është një marrëveshje e mëhershme që ka hyrë borxh Kosova për kufirin, pastaj është një deklaratë e dy presidentëve për ta korrigjuar atë marrëveshje i treti dokument është raporti i Komisionit të Kosovës që e gjen gabim atë marrëveshje”.

“Kush nuk e tregon këtë të vërtetë ka hile. Çdo deputetë që e ka çuar dorën atë ditë i ka votuar ato tri dokumente, por është dashur të votohet veç një marrëveshje. Ju e dini që jemi shty në seancë sepse ne kemi vdekur për atë tokë sa është Çakorri dhe sa është Kulla shumë herë në historinë tonë. Ne duhet të bëjmë një komision të përbashkët, Kosova dhe Mali i Zi dhe t’i qesim gurët.

“Kosova dhe Mali i Zi ende nuk e kanë bërë këtë dhe nëse dikush thotë që është ndryshe le ta thotë. Vetëm hilexhitë mund të thonë ndryshe dhe ata rrejnë kur e thonë këtë. Nuk ka qit gur ende Kosova dhe Mali i Zi dhe nuk i kanë zgjatur duart për përhajër. Asnjë komision i Kosovës nuk guxon me qit gurin pa e respektuar atë që ka votuar parlamenti”.

Haradinaj tha se ai nuk punon për interesat e partisë dhe as për vota, por për të ardhmen e fëmijëve të Kosovës.

“Çdo ditë e punës e imja dhe atyne që punojnë në shërbim të atdheut është e drejtë, nuk po punojmë për Aleancën që të sigurojmë vota. Po punojmë për fëmijët tanë. Në duhet të bëjmë kujdes në temat e atdheut”.

“Do ta ruajmë jo veç nderin e namin por krejt ato që e presin prej nesh, madje edhe ta aleatëve tanë. Do të bëhemi më të fortë për miqtë. Kur e ke në të drejtën tënde të nderon edhe miku”.

Komento: