
Në përvjetorin e shtatë të formimit të Ushtrisë së Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka rikujtuar vendimin që e cilësoi si një nga aktet më të rëndësishme shtetformuese të periudhës së pasluftës.
Ai theksoi se krijimi i Ushtrisë u mor nga Qeveria Haradinaj me mbështetjen dhe bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Erdhëm në paqe, në rresht me ushtritë e paqes. Shtatë vite guxim, shtatë vite krenari, shtatë vite Ushtria e Kosovës krah nesh”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, Ushtria e Kosovës lindi nga sakrifica e luftës çlirimtare, nga gjaku i dëshmorëve dhe nga amaneti i atyre që nuk u kthyen kurrë, por që lanë pas lirinë dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
“Sot kemi ushtri. Sot kemi shtet më të sigurt. Sot kemi Kosovë më të fortë”, ka përfunduar Haradinaj, duke e cilësuar formimin e Ushtrisë si një hap që vulosi sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.