Haradinaj flet për deklarata e Cakajt.
I ftuar në “A Show”, në News24 deputeti i Parlmentit të Kosovës Daut Haradinaj, njëherësh vëllai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj solli një panoramë të gjërë të zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri.
Ai komentoi aleancat brenda partive në Kosovë, e deri tek ministri në detyrë i qeverisë së Ramës, Gent Cakaj. Ky i fundit, tha deputeti i Kosovës, duhet t’i vërë fre gojës kur flet për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi.
Të duket Ramush Haradinaj kryeministër i fuqishëm?
Mendoj se disa vendime të ndërmarra gjatë këtyre 18 muajve të qeverisjes kanë qenë të rëndësishme. Krijimi i Ushtrisë, Trepça, paraardhësit e tij nuk i kanë bërë. Ka patur sfida e probleme, kam edhe unë kritika që disa gjëra duhet t’i bënte më mirë. Mendoj se Ramushi është i suksesshëm në këto rrethana që jemi në Kosovë.
Vuani nga aleanca me PDK, a qëndrojnë bashkë dy grupime që urrejnë njëra-tjetrën?
Nuk është urrejtje, duke parë përgjegjësitë që ne kemi vazhduar, kemi patur dallim substancial nga PDK. Jemi nis bashkërisht, nuk jemi pajtuar, kemi patur divergjenca, dallime të mëdha. Kohët e fundit, këto 18 muaj, koalicionet politike jo gjithmonë janë parimore. Si subjekt politik jemi pajtuar me qenë bashkë dhe siç duket nuk kemi gabuar.
Partia e Kurtit, nga pikëpamja e pragmantizmit, e sheh të mundur një aleancë dhe çfarë ndjesie ke?
Kishim një aleancë, bashkëpunim opozitar, ndër më të mirët. Unë e kam mik Kurtin e vlerësoj shumë. AAK po merr një rritje, mbështetje, nuk e pamundëson bashkëpunimin, s’kemi armiqësi mes subjekteve politike por dallime që nuk pajtohemi. Në fund të ditës jemi shqiptarë të Kosovës, mund të gjejmë gjuhë bashkëpunimi. Nuk më çudit që nesër të jemi me partinë e Kurtit.
E folura parlamentare, gjuha në Parlamentin e Shqipërisë, a mendoni që ka mbërritur në Kosovë?
Ne mundohemi me u kursy, ne kemi patur gaz, fillikaça, s’kemi patur pistoleta, s’dua të ketë as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Duhet me pas respekt reciprok. Fyerjet ndodhin vetëm në Parlament, më pas i sheh bashkë duke pirë kafe.
Lufta në Kosovë, e ke frikë Gjykatën Speciale?
Jo, nuk e kam frikë, por ka qenë padrejtësi ndaj Kosovës. Kemi patur 29 raste në Kosovë që kanë kaluar këto procese, përfshirë Ramushin 2 herë. Është padrejtësi që iu bë Kosovës, jo luftës. E keqja e dytë është se do të gjykohet etnikisht. S’ka patur ndonjëherë gjykatë etnike, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë. Kemi humbur shumë njerëz, por kemi luftuar dhe jemi krenarë për atë që kemi arritur për Kosovën.
A e mbështet kryeministrin për taksën me Serbinë?
E mbështes 100%. Politika në Shqipëri nuk e ka kuptuar mirë taksën, kemi vite që negociojmë me Serbinë. Kemi 18 marrëveshje, prej të cilave asnjë nuk implementohet në Serbi. Nuk respektohen taksat, diplomat universitare, torturohen qytetarët tanë. Anëtarësimi në Interpol, Serbia ishte e pakompromistë ndaj Kosovës, nuk kishim rrugë tjetër. Serbinë duhet me e prekë në kuletë, është reciprocitet mes dy vendeve, ne po kërkojmë të drejta të barabarta. Nëse Serbia do të tregohet superiore, ne kemi instrumentet tona. Derisa s’ka njohje reciproke, kjo taksë nuk duhet të hiqet.
Trepça, a i ka kaluar 100% Kosovës?
Trepça ka qenë arenë dyluftimi, tani është mekanizëm 100% i qeverisë së Kosovës, është ndërmarrje shtetërore. Potenciali i Trepçës për të shpëtuar Kosovën është shumë i madh dhe resurset janë pasuri e Kosovës me ligj, të miratuara në Kuvend e të nënshkruara nga Thaçi. 78% e objekteve të Kosovës është e palegalizuar. Nga Shqipëria nuk po marrim shembullin, po marrim modelin e mirë të Kroacisë. Kosova ndryshe nga Shqipëria nuk e ka patur problemin e pronës.
A ka besim Ramushi te kryeministri Rama?
S’kemi zgjidhje tjetër duhet të kemi besim, presim më shumë nga Rama, presim më të mira nga kryeministri i Shqipërisë. Kemi shumë gjëra të përbashkëta mes dy vendeve që duhet t’i bëjmë më mirë, lëvizja e lirë e mallrave, importin e përbashkët, pikat doganore. Duhet të bëhet më shumë për ekonominë mes dy vendeve.
Integrimi. Posti i Cakaj në krye të Ministrisë së Jashtme…
Cakaj djalë i ri, ambicioz, i përgatitur, nuk është djalë i keq. Gent Cakaj duhet t’i vërë fre gojës, nuk ka mandat ai për të folur për territoret e Kosovës, si ndrohen, ato mbrohen me gjak. Ministrat shkojnë e vijnë, mua personalisht Cakaj më ka thënë që në vetëdije ai nuk ka thënë që Kosova është e gatshme për korrigjim të kufijve. Kush e njeh historinë, për kufijtë janë derdhur gjak.
Të ka shkuar mendja të bëhesh kryeministër i Kosovës?
Jo, familjarisht s’kemi të kaluar me angazhim politik, rasti i parë ka qenë i Ramushit. Ndonjëherë ndodhin edhe aksidentalisht por fatmirësisht në të mirë të vendit. Personalisht nuk e shoh veten në këtë fushë.
Situata politike në Shqipëri…
Atë që ka bërë Shqipëria për Kosovën, ne nuk mund të ua kthejmë asnjëherë. Shqipëria ka ndryshuar shumë. E ka perspektivën, jam optimist për çeljen e negociatave për Shqipërinë në qershor. Keni proces zgjedhor, ne do ta respektojmë kë zgjedh Shqipëria, ne do të jemi korrekt.