Haradinaj: Duke refuzuar rrugën amerikane Kurti po i shërben interesave ruse dhe serbe për destabilizim të veriut.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një shkrim autorial ka thënë se veprimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me veriun e vendit, po i shërbejnë interesave ruse dhe serbe për destabilizim të vendit dhe rajonit, përcjell Reporteri.
Krejt kjo, sipas Haradinaj, ngase Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka refuzuar të ndjek rrugën amerikane”.
Këtë kritikë Haradinaj e kishte bërë edhe para mëse një muaji, kur konstatonte se “ikja prej Amerikës është shkuarje në Moskë”.
Megjithatë, në këtë shkrim autorial, Haradinaj shprehet i bindur se “ShBA dhe NATO nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do të kthehet normaliteti në veri”.
Haradinaj, edhe më herët, veprimet e kryeministrit i shihte për të çakorduara me ShBA-në dhe si të favorshme për Serbinë.
“Serbia, sponzorët e saj, satelitët e saj kanë skenare për dështimin e marrëveshjes tani të njohur si plani franko-gjerman që në përmbajtje ka njohjen e Kosovës nga Serbia. Në këtë situatë për fat të keq është kyç dhe po ndihmon kryeministri Albin Kurti”, pati deklaruar Haradinaj.