Haradinaj i del në mbështetje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të vendit

17:30 | 25 September 2021

Për situatën në veri ka reaguar edhe Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës së fundit në veri të fundit, duke i dalë në mbështetje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të vendit.

Haradinaj tha se pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat dhe asaj se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri për të është e papranueshme.

“E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i AAK-së tha se provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd e Moskë, ndërsa Kosova, sipas tij, duke mos rënë pre e provokimeve të tilla, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj.

“Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara”, është shprehur ai, përcjellë Klankosova.tv.

Komento: