
Haradinaj letër Lajçakut për dialogun me Serbinë: Qasja juaj, përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për Dialogun, Miroslav Lajçak, ku ja ka shprehur qëndrimin e partisë së tij lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai i thotë Lajçakut se e sheh qasjen e tanishme të tij dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Joseph Borell një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Të dashur qytetarë,
Përmes kësaj letre i kam përcjellur Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për Dialogun, Miroslav Lajçak, qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Letra ka përmbajtjen si në vijim:
I nderuar Z. Lajcak,
Dëshiroj të ju falënderoj për letrën tuaj të datës 9 prill 2020, si dhe për propozimin për një bisedë telefonike me kërkesë të Përfaqësuesve Specialë të Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh rrethanat e paqarta politike, besoj se një thirrje telefonike do të ishte e panevojshme.
Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund.
Megjithatë, Kosova e ka mirëpritur rolin e Kancelares Angela Merkel dhe të Presidentit Emmanuel Macron për t’u angazhuar personalisht në marrëveshjen gjithëpërfshirësë ligjërisht obligative.
Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me dedikimin e energjisë se re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, prej një dekade, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive.
