Haradinaj kërkon interpelancë me kryeministrin Kurti: I kam dërguar shkresë Konjufcës për seancë urgjente

13:39 | 11 Nëntor 2022

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar opinionin se sot i ka dërguar shkresë kryeparlamentarit Glauk Konjufca për të mbajtur një seancë urgjente lidhur me situatën aktuale në vend.

Haradinaj, në një konferencë për media, ka thënë se përmes kësaj seanceje, ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Kurti, për të diskutuar rreth masave të Qeverisë në raport me tensionet aktuale në Kosovë.

“Sot iu kam drejtu me një shkresë, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në të cilën shkresë, i kam kërku që ta marrë me urgjencë mbajtjen e një seance, dhe si pikë të rendit të ditës, kam kërku interpelancë me kryeministrin e Kosovës, zoti Kurti, me çështje për diskutim masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se situata në të cilën ndodhet Kosova është ndër më të rëndat në 22 vjetët e fundit.

“Situata e politikës dhe sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet. Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë duke urdhëruar përfaqësuesit serbë në institucione shtetërore e publike dhe ato të sigurisë që t’i braktisin institucionet e Kosovës.”

Sipas tij, krerët e shtetit nuk kanë vepruar pozitivisht në raport me zgjidhjen e situatës.

“Kryeministri i vendit në që ta shtyjë vendimin për targat, ka gjetur zbatimin më të keq, me çka i ka dhënë mundësi Serbisë edhe ta luajë rolin e viktimës dhe të ndërmarrë veprime anti-Kosovë. Fatkeqësisht, as Presidentja, as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës duke vepruar sikur, në vend, këto dy javë, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme.”

Komento: