
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në procesin zgjedhor, duke thënë se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka zbuluar një skemë shqetësuese manipulimi të votës së qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar se integriteti i zgjedhjeve të 28 dhjetorit tashmë është cenuar dhe se pa rinumërim të plotë të votave, nuk mund të ketë besim në proces.
“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se pas gjetjeve të deritanishme, vota duhet të rinumërohet një për një, duke shtuar se vetëm një rinumërim i tërësishëm mund ta garantojë integritetin e zgjedhjeve.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka shprehur habi edhe për mungesën e reagimit nga organet e drejtësisë, duke kërkuar veprime urgjente nga Prokuroria.
“E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka theksuar kreu i AAK-së.
Haradinaj ka apeluar tek të gjithë mekanizmat institucionalë që përmes vendimeve dhe veprimeve konkrete ta mbrojnë votën e qytetarëve dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme”, ka përfunduar Haradinaj.