Kryeministri Ramush Haradinaj vjen me një reagim të radhës për pas kërkesës së SHBA-së që të largohet taksa prej 100 për qind.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë ditës së sotme kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë taksën prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, mirëpo kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngul në vendimin për taksën.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën.
“Vendosja e taksës është vendim i Kosovës. Argumentet i kemi treguar. Kushtëzimi i dialogut është i papranueshëm. Nëse e kishim bo kushtëzime kishim kërku kërkim falje prej Serbisë dhe kthimin e personave të zhdukur… Taksa është deri në njohje dhe besoj se s’kemi më dilema, bile deri në njohje”, është shprehur Haradinaj në këtë konferencë, raporton më tutje lajmi.
Edhe pse u pyet në lidhje me kërkesën e SHBA-së për pezullimin e taksës, Haradinaj ka thënë se qëllimi i Amerikës është edhe qëllimi i Kosovës, pra për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Sipas tij, është Serbia ajo e cila nuk dëshiron që të vazhdojë dialogun me Kosovën, pasi që siç u shpreh Haradinaj, është pala serbe ajo që e ka kushtëzuar këtë dialog.
“Ne besojmë që ajo që është qëllimi i Amerikës është edhe qëllimi i yni, pra për kthimin e dialogut dhe jemi për kthimin e dialogut. Kosova asnjëherë nuk e ka kushtëzuar dialogun….. Unë mendoj që Beogradi nuk dëshiron dialog dhe po vendos kushte….Për neve është e papranueshme kushtëzimi i dialogut nga ana e Serbisë”, u shpreh Haradinaj.