Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Kryeministrit Albin Kurti që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
Haradinaj i është drejtuar edhe Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të cilit i ka kërkuar që urgjentisht ta mbledhë Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme.
“I bëj thirrje Kryeministrit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situates së krijuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Presidentes Vjosa Osmani i ka kërkuar të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.
“I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd. Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!”, ka shkruar tutje Haradinaj.