Haradinaj – Kusari Lilës: Mimozë edhe ti ki me ja kthy shpinën Kurtit, si të tjerëve

11:40 | 29 September 2022

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar polemika mes kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe kryeministrit Albin Kurti.

Kjo pasi që Haradinaj ndërpreu fjalën e tij në Kuvend, pasi që në fjalimin e tij i ndërhyri ministri Murati.

Pas Muratit i cili tha se nuk ndërhyri në fjalimin e Haradinajt por vetëm i bëri një pyetje, njëjtë deklaroi edhe kryeministri Kurti i cili tha se ministri në fjalë nuk ndërhyri dhe nuk ofendoi Haradinajn por vetëm i shtroi një pyetje.

E pas ministrit dhe kryeministrit Kurti, replikoi sërish Haradinaj i cili tha se nuk është hera e parë që ndërpritet nga ministrat e Qeverisë.

“Kryeministër unë kam qenë mësues edhe vet një kohë, me pesa, ndoshta ti nuk e beson por kam qenë. Unë isha duke folur qysh mësimdhënësit po rrinë në shtëpi dhe kjo ndërhyrja, ju tregova që nuk e lejoj…”, ka thënë Haradinaj para se të përballej me reagime të shumta të deputetëve të pozitës.

Në momentin e ndërhyrjes të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haradinaj me ironi i është drejtuar Shefes së Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, duke i thënë “mos ta nin Mimozë, shumë shpejt edhe ti ki me ja kthy shpinën si shumë tjerë”.

Haradinaj ka thënë se ekonomia është duke u rënduar me ngritjen e çmimeve të produkteve bazë.

Komento: