Haradinaj me falenderim të veҫantë për Bill Clintonin

18:33 | 11 June 2019

Ramush Haradinaj e ka pritur në takim Bill Clintonin.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në zyrën e tij, ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, të cilin e ka falënderuar për kontributin amerikan që Kosova të fitojë luftën me Serbinë.

Haradinaj thotë se falë vendosmërisë së presidentit Clinton, u jetësuar ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci.

“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se hyrja e trupave të NATO-së në Kosovë ka qenë një kthesë historike, që rezultoi edhe me realizimin e ëndrrës për të pasur shqiptarët e Kosovës shtetin e tyre.

“Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën!

President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”, ka përfunduar Haradinaj.

Para takimit me Haradinajn, Clinton ka zhvilluar një takim me presidentin Thaçi.

Komento: