Haradinaj merr përgjigje nga Nisma, AKR-ja e PSD-ja

20:21 | 27 July 2019

Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj duket se ende mban inat me partitë që donin ta rrëzonin përmes mocionit.

Pas dorëheqjes, tash kur po flitet për zgjedhje të parakohshme, ai nuk po i përmend LDK-në e Vetëvendosjen si partnerë të mundshëm.

Nëse shkohet në zgjedhje, Haradinaj është i interesuar për koalicion vetëm me partitë e vogla.

Nismën, PSD-në, AKR-në, Haradinaj i përmendi si mundësi koalicioni, të premten që shkoi.
Kryeministri i dorëhequr tha se ndjenë një afërsi me këto tri parti.

Por çka mendojnë këto parti për një koalicion të mundshëm me AAK’në.

I pari i Nismës Socialdemokrate, u shpreh se janë të gatshëm të shkojnë vet në zgjedhje, por që nuk përjashton mundësinë e një koalicioni parazgjedhor.

Fatmir Limaj tha se i vjen mirë që partia e tij po vlerësohet nga partitë e tjera.

Limaj shton se tashmë është koha për të ndërtuar një qeverisje të fortë, dhe jo e vijave të kuqe.

Ndërkohë, edhe nga AKR e Pacollit nuk e përjashtojnë koalicionin me partinë e Haradinajt gjatë qeverisjes së të cilit gëzuan 3 ministri, me vetëm 4 deputetë.

Vesel Makolli tha se tashmë vijat e kuqe janë shëndrruar në term banal, pasi që po shkelen vazhdimisht.

Ndërsa nga PSD, po shprehën se ende s’kanë pranuar ndonjë ofertë nga partia e Haradinajt.

Por, theksuan se në rast të një koalicioni të mundshëm, fillimisht duhet të pajtohen për disa çështje për të cilat, thonë se kanë qëndrime krejtësisht të kundërta.

Komento: