Haradinaj në Klinë: Paga mesatare mbi 1000 euro që në vitin e parë të qeverisjes, koeficienti 155 euro

19:32 | 12 November 2024
haradinaj-ne-kline:-paga-mesatare-mbi-1000-euro-qe-ne-vitin-e-pare-te-qeverisjes,-koeficienti-155-euro

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga radhët e AAK-së në Klinë.

Haradinaj ka thënë se qytetarët e Klinës, me prezencën e tyre e dëshmuan mbështetjen për vizionin tonë për Kosovën të anëtarësuar direkt në NATO përmes Planit Aksional.

“Sot në takim me banorë dhe struktura të AAK-së në Klinë, prezantuam kandidatët për deputetë nga kjo Komunë. Qytetarët e Klinës, me prezencën e tyre e dëshmuan mbështetjen për vizionin tonë për Kosovën të anëtarësuar direkt në NATO përmes Planit Aksional. Listës sonë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, nga Klina i bashkohen Prof. Zenun Elezaj, Marqe Selmanaj dhe Dr. Haxhi Ibishi. Ekspertizën dhe përvojën e tij, si dhe qeverisjen model në komunë, Prof. Zenun Elezaj do ta bartë edhe në nivelin qendror si deputet i Kuvendit te Kosoves. Përvoja e pasur e si profesionistë të dëshmuar e Marqe Selmanaj dhe Dr. Haxhi Ibishi, padyshim se qytetarëve të Klinës i jep shans për përfaqësim dinjitoz në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar pagë minimale prej 500 Euro dhe pagë mesatare prej 1000 Euro.

“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, vlera e koeficientit do të jetë 155 euro. Që në vitin e parë nuk do të ketë pagë minimale nën 500 euro dhe pagë mesatare nën 1000 euro. Pagat në vitet vijuese do të rriten 12-13% për çdo vit, dhe në fund të mandatit qeverisës më 2028, paga mesatare do të jetë rreth 1500 euro. Rritja e pensioneve të të gjitha kategorive në vitin 2025 do të jetë 50% në krahasim me shumat e paguara në vitin 2024, dhe pastaj do të ndjek kuotën e rritjes sipas modelit të rritjes së pagave”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO është hapi strategjik që do të hapte perspektivë për zhvillimin ekonomik.

“Mbështetja për Aleancën dhe partnerët në koalicion është tregues i qartë i besimit që qytetarët kanë për Programin dhe synimin tonë për anëtarësimin direkt në NATO përmes Planit Aksional. Ky është hapi strategjik që do të përmirësonte sistemet arsimore dhe shëndetësore, si dhe do të hapte perspektivë për zhvillim ekonomik”, ka përfunduar Haradinaj.

Komento: