Haradinaj në Kompleksin Memorial në Mejë: Këtu pushojnë të gjithë ata që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës

12:03 | 27 Prill 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga disa deputetë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në Mejë.

Haradinaj tha se kjo është masakra më e madhe në Kosovë, e që ende mbesin disa persona të pagjetur. Haradinaj shtoi se në këtë kompleks pushojnë trupat e shqiptarëve të pafajshëm të të dyja besimeve.

“Me përulje nderojmë sot në vendin ku pushojnë trupat e martirëve të masakrës së Mejës. Masakra e Mejës është masakra më e madhe në Kosovë, 377 të vrarë, në mesin e tyre edhe të marr në Serbi, e po ashtu ka ende të pagjetur. Këtu pushojnë trupat e shqiptarëve të pafajshëm të të dyja besimeve në Kosovë”, tha Haradinaj.

“Këtu pushojnë të gjithë ata që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës. Je ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë. Mirënjohës i jemi luftëtarëve të UÇK-së. Po ashtu përulemi me respekt ndihmës që na dha bota e përparume në krye me NATO-n nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupat e të gjithë atyre që luftuan për liri do të pushojnë të qetë kur Kosova të anëtarsohet në NATO”, përfundoi Haradinaj.

Komento: