Kkryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Prizren ka prezantuar kandidatët e AAK-së nga ky qytet për Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet nga Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj.
Haradinaj ka theksuar angazhimin e tij dhe të ekipit për të ndihmuar qytetarët e Kosovës duke përmirësuar kushte jetese dhe duke realizuar projekte të rëndësishme. Në programin e tyre, ata kanë premtuar ndërtimin e digës së Manastiricës për të zgjidhur problemin e ujit të pijshëm, funksionalizimin e zonës industriale dhe mbrojtjen e trashëgimisë historike të Prizrenit.
Një tjetër angazhim i rëndësishëm është mbrojtja e familjeve dhe ndërprerja e padrejtësive në sistemin e tatimit në pronë. Për më tepër, ata kanë paraqitur masa ekonomike konkrete, si sigurimi i pagave minimale prej 500 euro dhe pagës mesatare prej 1000 euro, barazimin e pensioneve me pagën minimale, uljen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe heqjen e akcizës së naftës për bujqit.
“Me përvojën tonë në qeverisje dhe një program të qartë ekonomik, do ta çojmë Kosovën përpara dhe do të luftojmë për një shtet të fuqishëm,” tha Haradinaj.
Ai gjithashtu theksoi se si AAK ka kontribuar në ngritjen e Ushtrisë së Kosovës dhe vendosjen e taksës 100% ndaj Serbisë, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm për forcimin e vendit.
Haradinaj përfundoi me thirrjen për një Kosovë fituese dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.
Postimi i tij:
Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, prezantuam ekipin tonë të fortë për Kuvendin e Kosovës: Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj. Bashkë me ta, do t’i japim fund vuajtjes së qytetarëve për ujë të pijshëm me ndërtimin e digës së Manastiricës, do ta funksionalizojmë zonën industriale dhe do ta mbrojmë trashëgiminë historike të Prizrenit. Do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në pronë.
Me përvojën tonë në qeverisje dhe me program konkret ekonomik, do të sigurojmë paga minimale 500 euro dhe mesatare 1000 euro, do të barazojmë pensionet me pagën minimale, do të ulim TVSH-në për ushqimet bazë dhe do të heqim akcizën e naftës për bujqit.
Ashtu siç e ngritëm Ushtrinë e Kosovës dhe vendosëm taksën 100%, do të vazhdojmë të luftojmë për një Kosovë të fortë. Ne jemi Kosova që di të ngrihet. Ne jemi Kosova Fituese!