Ramush Haradinaj ka folur sërish për taksën
Një ditë para vizitës së diplomatit amerikan, David Hale në Kosovë, kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj ka thënë se nuk pranon që Serbia ta zaptojë tregun e Kosovës, e të mos e njoh pavarësinë e shtetit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot për një vizitë në qytetin e Suharekës, prej ku ka folur për aktualitetin politik dhe çështjet më të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se Kosova nuk do të jep asgjë në këmbim të njohjes së pavarësisë nga Beogradi.
Haradinaj ka treguar se si ndërkombëtarët i kanë thënë se çfarë do të jep Kosova në këmbim të njohjes nga Serbia, dhe për të një gjë e tillë është shumë e rëndë, pasi Kosova nuk ka se çfarë të jep më.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kreu i ekzekutivit thotë se nuk mund të vijë duke i hapur kufijtë, e duke bërë eksperimente me ta.
“Njohja nuk mundet me ardhë, t’u na marrë diçka. Kur po flasin miqtë tanë, se çka jepni ju për njohje, a besoni si me të ra diçka e madhe në kryer. Çka mundemi na me dhanë mo, për të drejtën tonë, për me jetu në tokën tonë. Ne kemi dhënë shumëçka, prandaj kemi mbet vend i vogël. Nuk mundemi na me dhanë. Na mundemi me u pajtu me ecë përpara, por jo me harru. Njohja duhet me ardhë si kërkim falje, por jo tu dhanë tokë, e tu bo eksperimente me veten, tu i hap kufijtë. Çka bojmë pa kaq Kosovë, ku i rrisim fëmijët, që nesër mundemi me u rritë edhe më shumë”, ka thënë Haradinaj raporton Gazeta Express.
Ai ka treguar edhe për kundërshtime e mëdha që ndërkombëtarët i kanë bërë nismës për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Sipas Haradinajt është e padrejtë që Kosovës t’i mohohet e drejta për të pasur një ushtri që të mbrohet, dhe në anën tjetër të mos i thuhet asgjë Serbisë e cila blenë vazhdimisht armatim nga Rusia.
“Mue mkanë thanë që duhet me shku në Bruksel, me folë për këto punë në Bruksel me folë edhe me Serbinë. Pra na për ushtrinë tonë kaq të vogël po u duhet me e pyet Serbinë, ndërsa Serbia kur po blenë armë nga Rusia spo e pyet askënd. E unë i kam pyet të huajt, na popull viktimë që na ka mbyt qajo ushtri, si spo kem të drejtë më i dhanë vetës të drejtë për me u mbrojtë. Është qajo ushtri që na ka mbyt, e ende po blenë armë. Juve iu ka humb rruga në oborr. Ju prap po vini po i thoni të dobtit mos boni ushtri. Ju është dashtë me shku me iu thanë atyre përgjysmojeni ushtrinë, se e keni keqpërdor. Kur iau kemi tregu të vërtetën ata janë ndalë. Kanë thanë në rregull është ecni përpara”, ka shtuar lideri i AAK-së.
Ai ka folur edhe për luftën e orkestruar që Serbia ka bërë kundër Kosovës, për anëtarsimin në INTERPOL e UNESCO, si dhe luftën për të hequr njohjet e Kosovës.
Haradinaj thotë se pas gjithë kësaj lufte kundër shtetëissë së Kosovës, kur është vendosur taksa, tashmë ata po vajtojnë.
Sipas kreut të ekzekutivit, Serbia këtë gjë di ta bëj më së miri, të vajtojë.
“ Përveç kësaj ata i kanë rrejt shtetet, duke iu kërkuar që ta heqin njohjen për Kosovën, duke iu thënë se ndoshta bashkohemi prapë. Nuk na lanë me hi në Interpol, u munduan me na destabilizu brenda. I ka shti 3000 rus brenda shtetit, si në shtëpi të vet. E kur e qitem taksës, shkuen e vajtuen në të gjitëh votën. Ata dijnë shumë mirë me vajtu. Janë anku tek miqtë tanë, e kur vinin ata na duhej me ua shpjegu që nuk ishte ashtu”, ka thënë ndër të tjera Ramush Haradinaj.
“Ne po dojmë me u bo kojshi të mirë me Serbinë, por duhet me u njoftë. Nuk pranojmë që mos me na njoftë , e me ardhë mëzor me shit tek na, sic po dojnë serbët. Kjo i bjen ‘me të rreh e mos me të lanë me kajtë”, ka potencuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se Republika e Kosovës dëshiron që të jetojë në fqinjësi të mirë me të gjithë. Ndërkohë thotë se qëndrimi në rrugë të drejtë do të bind edhe miqt ndërkombëtar se Kosova është në të drejtën e saj.