Haradinaj nga posti i kryeministrit dhuroi 35 Harta të Arta të Kosovës, 13 prej tyre në dasma e ditëlindje

20:18 | 06 Qershor 2020

Për dy vjet qeverisje me ekzekutivin e vendit, Ramush Haradinaj ka ndarë shumë dhurata në dasma e ditëlindje me para të shtetit.

Në vlerë të së paku 3 mijë e 465 euro janë dhënë Harta të Arta të Kosovës personalisht nga kryetari i AAK-së, prej tyre më shumë se gjysma janë ndarë në dasma dhe ditëlindje ku Haradinaj ishte i ftuar.

Këto të dhëna KOHËS i janë bërë të ditura pas një kërkese për qasje në dokumente zyrtare.

Të dhënat e plota fillimisht ka refuzuar t’i japë Zyra e Haradinajt dhe ato për televizionin janë bërë publike vetëm pas një ankese në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Sipas tyre, gjithsej ish-kryeministri ka ndarë 35 Harta të Arta të Kosovës, prej tyre 12 janë ndarë në dasma dhe 1 në ditëlindje.

Këtë dhuratë, e cila u jepet me motivacionin për shkëlqyeshmëri personaliteteve e personave zyrtarë për kontributin e tyre, është punëdore dhe vlera e saj është nga 99 deri në 140 euro.

Nëse llogaritet çmimi më i lartë, këto i kanë kushtuar taksapaguesve 4 mijë e 900 euro.

Njërën prej tyre, me rastin e martesës, Haradinaj ia dhuroi vajzës së bashkëpartiakes së tij, deputetes Teuta Haxhiu.

Hartën e Artë të Kosovës, si dhuratë nga kryeministri e mori edhe vajza e atëkohë këshilltarit të Haradinajt, Arbër Vllahiut.

Pa dhuratë me rastin e martesës, Haradinaj nuk la as vëllain e ish-ministres Albena Reshitaj e as vajzën e ministres Emilja Rexhepi.

Një të tillë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte edhe për djalin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Hartën e Artë të Kosovës si dhuratë nga kryeministri e mori edhe Familja e Riza Nokës me rastin e martesës së djalit të tyre Shkumbinit me Hanën. Por, kryeministri nuk la keq as familjen e nuses.

Hartën e Artë të Kosovës, dhuratë ish-kreu i Qeverisë e bëri edhe në dasmën e familjes Geci, familjes Lekaj, familjes Osa, Krasniqi, si dhe familja Kuçi.

Kësaj të fundit, kryeministri ia dhuroi Hartën e Artë të Kosovës djalit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Selman Kuçit, me rastin e ditëlindjes së 14-të.

Por, këtë dhuratë që ish-kryeministri e ndau për miq e familjarë të bashkëpartiakëve të tij, e njëjta është paraparë të ndahet për personalitete të ndryshme ndërkombëtare.

Atë, Ramush Haradinaj ia ka dhënë edhe ish-ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawie, aktivistes Natasha Kandiq, kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markovic, këngëtares së njohur shqiptare me famë botërore, Rita Orës, e personaliteteve të shumta ushtarake.

Ndarja e dhuratave nga kryeministri nuk është e rregulluar me ligj. Zyra e tij ka thënë për televizionin se për këtë i janë referuar nenit 11 të Ligjit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Megjithatë, ky nen specifikon vetëm dhuratat që mund t’i pranojë një zyrtar publik e jo ato që mund t’i ndajë me para të shtetit, përpos pikës 9 të këtij neni, e cila parasheh që dhuratat protokollare si simbole shtetërore e të tjera, mund të përdorën vetëm gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Komento: