
Daut Haradinaj ka thënë se një pjesë e madhe e VV-së dikur ishin anëtarë të SHIK-ut.
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se përkundër se sot shumë anëtarë të Vetëvendosjes e akuzojnë dhe ofendojnë pafundësisht presidentin e Kosovës, shumica e tyre dikur ishin krah i djathtë i tij.
Ai ka treguar se si kur anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ishte zgjedhur Avokat i Popullit, e kishte votuar edhe ai në Kuvend, ngase votën për të e kishin kërkuar ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-ministri Hajredin Kuçi.
“Unë kam qenë në opozitë, kur zoti Kurti ma pat kërkuar votën që dikush i VV-se me u bë Avokati i Popullit. Votën ma kanë lypë Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi për Sami Kurteshin. Unë ia kam dhënë votën bllanko për shkak të respektit ndaj familjes së tij”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë po ashtu se një pjesë e madhe e strukturave të VV-së kanë dalë nga SHIK-u e PDK-ja. “Një pjesë shumë e madhe e Vetëvendosjes kanë qenë SHIK”.
“Kur kam dalë prej burgut, shumica e këtyre kanë qenë PDK, krahu i djathtë i Hashim Thaçit. Tash e shajnë. Po kadal se nuk shkon kështu. Shumica dërmuese e strukturave të Vetëvendosjes kanë qenë në PDK. Kisha dashtë që ata me qenë patriotë deri në fund. Të bardhës të bardhë, të zezës të zezë”, ka thënë Haradinaj.