Lulzim Peci thotë se Haradinaj ose duhet të japë dorëheqje, ose të marrë përgjegjësinë për dialogun.
Njohësi i politikës së jashtme, Lulzim Peci, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet ose të japë dorëheqje nga posti, ose të marrë përgjegjësinë për dialog me Serbinë.
Në Rubikon të KTV-së, Peci ka thënë se kryeministrit i takon të përgatis Kosovën në këtë dialog.
“Ose duhet të japë dorëheqje Ramush Haradinaj nga pozita e vet, ose të marrë përgjegjësinë e vet duke e përgatitur Kosovën për dialogun me Serbinë dhe duke bashkëpunuar afër me opozitën”, ka thënë Lulzim Peci.
Sipas tij, Kosova fillimisht duhet të bëjë një konsolidim të brendshëm në raport me atë se si e shohim dialogun me Serbinë.
“Ne duhet të dimë se për çka duam të flasim. Ose do të përfundojmë për ndarje, ose me Asociacion të komunave. Mund të dalë diçka që tash në situatën aktuale nuk po mundem ta parashikoj, mirëpo tash për tash janë këto dy opsione, mirëpo ne nuk po jemi të aftë as të përgatisim një draft”, u shpreh më tej ai.
Ai ka thënë se edhe nëse formohet qeveri e re në Kosovë, ajo duhet të dijë se çfarë të bëjë me taksën.
“Nuk ka kuptim çfarëdo qeverie të re të bëjmë, nëse nuk e dimë se çka duam të bëjmë me taksën, njëjtë siç ndodhi me demarkacionin. Besoj që janë këto dy gjërat fundamentale, përfundimisht është me cilin variant do të shkojmë, me ndarje apo asociacion dhe çka do të bëjmë me taksën”, theksoi Peci.