Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të bashkëpunojë asnjëherë më me partinë e Kadri Veselit.
Ai në emisionin Pressing të T7 e ka përshkruar si përvojë të keqe bashkëpunimin me PDK’në në qeverisje.
Haradinaj thotë se nuk e ka njoftuar kreun e PDK’së, Kadri Veselin, për dorëheqje pasi ai nuk i ka lënë hapësirë për të diskutuar për tema të ndjeshme.
“Çka të paralajmërojë një njeri që në Ëashington ka thënë se Haradinaj po flet me Amerikën si me Serbinë. Nuk më la hapësirë që të flasë për tema të tilla”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Haradinaj thotë se PDK e ka penguar për temat më të rëndësishme kombëtare dhe se më asnjëherë nuk do të bashkëpunojë me partinë e Veselit.
“Me PDK’në kurrë më”, ka thënë kreu i AAK’së, i cili ka dhënë dorëheqje një muaj më parë pasi ka marrë ftesë për intervistim pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.