Haradinaj premton rritje 50% në të gjitha skemat pensionale dhe sociale

18:25 | 03 Tetor 2024
haradinaj-premton-rritje-50%-ne-te-gjitha-skemat-pensionale-dhe-sociale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Gjilan ka vizituar edhe HANDIKOS-in, duke thënë se është informuar nga kreu i kësaj shoqate për sfidat me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë.

“Në Gjilan, u pritëm përzemërsisht në shoqatën HANDIKOS nga kryetari i saj Fatmir Shurdhani, ku qëndrova i shoqëruar nga kryetari i Aleancës në Gjilan, Nazim Gagica e kolegë të tjerë. Takimi me këta njerëz të mrekullueshëm e plot ide ishte shumë frytdhënës. Z. Shurdhani na informoi hollësisht për situatën e personave me nevoja të veçanta, duke përfshirë aspektin ligjor”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, është e papranueshme që kjo pjesë e ndjeshme e shoqërisë sonë përballet me neglizhencë nga institucionet.

“Ligji aktual, e po ashtu edhe skemat aktuale pensionale dhe sociale nuk reflektojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve e as koston reale të jetesës, veçanërisht atyre që kanë nevojë për dorën e shtetit. Programi ynë parasheh përmirësimin e bazës ligjore për personat me nevoja të veçanta, si dhe rritje 50% në të gjitha skemat pensionale dhe sociale”, është shprehur Haradinaj.

Ai është zotuar se pas 9 shkurtit do të ndërtojnë një Kosovë që kujdeset për të gjithë.

  

Komento: