Haradinaj pret kongresmenin amerikan, flasin për dialogun

18:04 | 11 May 2019

Kongresmeni amerikan thotë se SHBA-të mbeten partner i palëkundur i Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kongresistin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ed Case.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Case dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga liria, pavarësia dhe tani në shtetndërtim, duke vlerësuar se përkrahja e SHBA-së për Kosovën edhe në këto momente është tejet e rëndësishme për proceset zhvillimore të vendit.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi kongresistin Case për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Forcimi i mëtejmë i partneritetit strategjik me ShBA-të, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona është me rëndësi jetike për vendin, sepse orientimi ynë është euroatlantik dhe pro vlerave perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Haradinaj.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte edhe çështja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën kryeministri Haradinaj vlerësoi se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke, do t’i kontribuonte forcimit të stabilitetit rajonal, me ç’rast kryeministri kërkoi angazhimin e ShBA-së në këtë proces.

Kryeministri Haradinaj në shenjë mirënjohje i dhuroi kongresistit Case, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut.

Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ed Case, afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawai-t ofrojnë në Kosovë.

Komento: