Haradinaj prezanton prioritetet strategjike për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës

11:38 | 04 January 2025

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka prezantuar prioritetet strategjike për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Ai thotë Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri.

Haradinaj thotë se kombinimi i burimeve tradicionale, atyre të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, janë çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.

Postimi i tij:

PRIORITETET STRATEGJIKE PËR ZHVILLIMIN E SISTEMIT ELEKTROENERGJETIK TË KOSOVËS

Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri. Për të adresuar sfidat aktuale dhe për të siguruar një sistem të qëndrueshëm, janë të nevojshme një sërë investimesh strategjike:

1. Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz prej 500 MW në Ferizaj

• Ky central do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe fleksibilitet operacional, duke shërbyer si burim balancues gjatë periudhave të ulëta të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme (energji diellore dhe e erës), krahas sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS), të financuara nga Qeveria e SHBA, përmes programit të MCC dhe buxhetit të Kosovës.

• Lidhja direkte me rrjetin 400 kV të KOSTT-it do të mundësojë integrim efikas në sistemin transmetues.

• Kostoja e përafërt: 0.8-1.5 miliardë euro, duke përfshirë edhe teknologjinë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit, dhe në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë së zgjedhur.

2. Modernizimi i rrjetit transmetues për operim të sigurt dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme

• Ndërtimi i unazës së brendshme 400 kV: Siguron stabilitet të sistemit dhe rrit kapacitetet transmetuese për projekte të mëdha energjetike.

• Kostoja e përafërt: 100-150 milionë euro.

• Unazat 220 kV dhe 110 kV: Forcojnë kapacitetet lokale për integrimin e burimeve të shpërndara të energjisë dhe përmirësojnë fleksibilitetin operacional të rrjetit.

• Kostoja e përafërt:

• Unazat 220 kV: 50-70 milionë euro.

• Unazat 110 kV: 20-40 milionë euro.

• Rishikimi i Metodologjisë së Kyçjes: Një qasje më fleksibile nga KOSTT dhe ZRRE për të përshpejtuar integrimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rrjetin nacional.

3. Mundësia e zhvillimit të kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër

• Hidrogjeni i prodhuar nga energjia e erës dhe diellit mund të shërbejë si zgjidhje për menaxhimin e furnizimeve të tepërta, duke e ruajtur energjinë nëpërmjet elektrolizuesve dhe duke e përdorur atë për balancim të rrjedhave energjetike.

• Hidrogjeni mund të ruhet dhe të përdoret si lëndë djegëse ose si bartës energjie, duke siguruar fleksibilitet të sistemit dhe reduktim të emetimeve të karbonit.

• Kostoja e përafërt:

• Kapacitetet e elektrolizës: 1-1.5 milionë euro për MW.

• Infrastrukturat e ruajtjes dhe transportit të hidrogjenit: 50-100 milionë euro.

• Strategjia përfshin ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit pranë termocentraleve ekzistuese, për optimizim të kostos.

4. Ndikimi i këtyre projekteve në balancimin e sistemit dhe dekarbonizimin

• Centrali me gaz: Përveç furnizimit të sigurt, ky central do të mundësojë mbështetje në periudha të paqëndrueshmërisë nga burimet e ripërtëritshme, duke rritur fleksibilitetin dhe sigurinë e sistemit.

• Hidrogjeni i pastër: Roli i tij në integrimin e burimeve të ripërtëritshme është thelbësor përmes ruajtjes së energjisë, duke shmangur humbjet dhe duke balancuar rrjetin.

5. Pjesëmarrja aktive në integrimet në tregjet e energjisë rajonale dhe evropiane, për të siguruar mundësi më të mira për tregtinë e energjisë, duke rritur kështu konkurencën dhe ulur çmimet.

6. Përfitimet:

• Stabilitet dhe siguri më e lartë operative.

• Integrim më i lehtë dhe më i shpejtë i projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

• Reduktim i varësisë nga burimet konvencionale dhe përmbushje e objektivave të tranzicionit energjetik.

Kjo qasje, që kombinon burimet tradicionale, ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, është çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.

Komento: