Në qershor, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pritet të vizitojë Berlinin.
Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman, Haradinaj do të marr pjesë në lutjet e mëngjesit që organizohen atje.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për lajmi. net se në Berlin, Haradinaj do të takohet edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
“Kryeministri Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtoj për në Berlin në një vizitë dy ditore. Me ftesë të kreut te Bundestagut gjerman do të marr pjesë në lutjet e mëngjesit që organizohen atje. Pastaj do të ketë takime me deputetë të Bundestagut, si dhe me 6 qershor do të zhvilloj një takim pune me Kancelaren Merkel. Agjenda ende është në finalizim, do ju njoftojmë me kohë për detaje të tjera”, ka thënë Gashi.
Ajo ka theksuar se kërkesat e kryeministrit Haradinaj, janë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, dialogut dhe fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale.
Ndërsa një ditë më parë, Haradinaj deklaroi se Gjermania edhe një herë e ka konfirmuar mbështetjen e Kosovës për liberalizim të vizave, duke shtuar se pret që ky proces të finalizohet sa më parë.
“Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë”, është shprehur i pari i qeverisë.
Vlen të theksohet se edhe në takimet e fundit në Samitin e Berlinit, kryeministri kosovar ka insistuar në liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.