Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar reagimin e sotëm të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, dhe vërtejtjen që pati ai për Policinë e Kosovës në rastin e incidentit në Zveçan.
Sipas Haradinajt, ky ‘qortim’ i Hovenierit nuk ishte për policinë, por për shefat e shtetit.
“Kjo që na ndodhi sot, një qortim i ambasadorit amerikan. Mos harroni, kur jepet qortimi për policinë, por ai qortim është për shefat e shtetit, nëse e marrin vesh”, është shprehur Haradinaj në Klan Kosova.
Në reagimin e tij, Hovenier tha se Policia e Kosovës duhet bërë një hetim të plotë dhe kredibil lidhur me rastin, derisa u shpreh i shqetësuar edhe me pakujdesinë që tregoi policia, përcjell Reporeri.net.
Kjo pasi, në njoftimin e Policisë së Kosovës për incidentin, fillimisht u mohua se pjesëtarë të policisë ishin të përfshirë në këtë incident, por më pas u vërtetua e kundërta.
Për më tepër, Haradinaj tha e konsideron të panevojshme të krijohen tensione të tilla në komunat veriore në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ai tha se nëse mund të gjendet zgjidhja për pasaporta, duhej të ishte gjetur në zgjidhje edhe për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
“Ecja e këtyre në këtë rrugë pa marrjen e garancës se serbët e veriut marrin pjesë në zgjedhje, në këtë rast Lista Serbe, nuk është patriotizëm por është lazdrim ndaj aleatëve”.
“Unë e kuptoj sa djallëzore është Serbia, ata kërkojnë që të na shfrytëzojnë krejt naivitetin tonë, por ne kemi aleatë të mençur. Nuk guxojmë të lëvizim në veri pa bashkëveprim”, tha Haradinaj.
Lideri opozitar tha se zgjedhjet në veri do të dështojnë prapë.
“Prapë ne do ta humbim fytyrën tonë. Nëse rezultati është nën 10 për qind niveli pjesëmarrjes. Mos të bëjmë hajgare. Ne jemi duke e mashtruar vetën. Edhe aleatët të lënë për të dështuar, në mënyrë që ta tregojnë vendin”, tha Haradinaj.