Kryeministri Ramush Haradinaj është duke shpresuar se shumë shpejt do të ndodh liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, udhëhequr nga kryesuesi, David McAllister.
Haradinaj i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për dhënien e dritës jeshile për liberalizimin e vizave.
Në këtë takim kreu i Qeverisë ka kërkuar që të merret vendimi për lëvizjen e lire të qytetarëve të Kosovës.
“Pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në këtë proces, që u rikonfirmua edhe sot nga kryesuesi David McAllister, me të drejt pret që të merret vendimi meritor në kohë optimale për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”, ka shkruar Haradinaj.
Ai poashtu ka informuar delegacionin e Parlamentit Evropian për reformat që i ka kryer Kosova.
“Në kuadër të takimit, i informova eurodeputetët për fuqizimin e rendit dhe ligjit, dhe reformat e suksesshme shtetërore, që i sigurojnë Kosovës rrugëtim të sigurtë drejt integrimit në familjen europiane”.