Ish kryediplomatja: Qeveria ta shtyjë vendimin për targat, rreziku nga tensionet pas 21 nëntorit.
Nuk ka marrëveshje për targat. Kështu deklaroi zv/kryeministri Besnik Bislimi dje para gazetarëve.
Tha se në BE me Lajçakun janë diskutuar elemente për të dalë nga kjo situatë dhe nuk ka pasur propozime.
Ndërsa, se a do të nis zbatimi i fazës së dytë pas 21 nëntorit, Bislimi tha se nuk e di se çka do të ndodhë, pasi nuk është Nostradamus për t’i parashikuar gjërat, derisa shtoi se janë në bisedime dhe nuk dihet çka mund të ndodhë.
Lidhur me një arritje të pajtueshmërisë me BE-në për targat para datës 21, siç kërkoi edhe Borrell, për Blic ka folur ish ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ajo thotë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se Qeveria do të tërhiqet për targat në këmbim që serbët të kthehen në institucione, do jetë e dëmshme dhe zmbrapsje e padinjitetshme dhe nuk do të ishte në interes të Kosovës që zmbrapsja të vie në këtë mënyrë e jo kur e kërkoi Blinken.
“Dje kishte raportime të pakonfirmuara se Qeveria ka pranuar tërheqjen e implementimit të vendimit për targat në këmbim të një marrëveshjeje politike për kthimin e serbëve që braktisën institucionet. Nëse del të jetë i vërtetë ky raportim, mendoj se është zmbrapsje e padinjitetshme, e dëmshme, dhe vendim që dëmton edhe më tej integritetin vendimmarrës të Republikës së Kosovës në territorin e saj. Një zmbrapsje e tillë përmes një procesi dialogues në Bruksel, e jo si përgjigje ndaj një kërkese personale të Sekretarit Blinken, nuk i përgjigjet interesit të Republikës së Kosovës. Ashtu si herën e parë edhe tash, ky veprim e bën hisedare mafian serbe të veriut në ruajtjen e paqes & stabilitetit të Republikës së Kosovës”, vlerëson ajo.
Ish kryediplomatja tregon se në këmbim të shtyrjes së vendimit për targat, Kosova duhet të kërkojë implementimin e plotë të konkluzioneve të Urës së Ibrit, dhe hapjen përfundimtare për qarkullim të përgjithshëm të kësaj ure.
“Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkojë në Bruksel që të implementohet në plotëni Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë, specifikisht Konkluzionet e arritura për hapjen e Urës së Ibrit që mbahet peng tash e sa vite nga secili kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut. Në këmbim të kësaj, Qeveria do të mund të ofrojë një shtyrje të sërishme të vendimit për targat deri në implementimin e plotë të konkluzioneve të Urës së Ibrit, dhe hapjen përfundimtare për qarkullim të përgjithshëm të kësaj ure”, thekson Haradinaj-Stublla
Sipas saj, nëse shtyhet vendimi për targat pa diçka në këmbim për Kosovën, nuk do të mund ta kthejmë gjendjen e mëparshme në veri dhe kriminelët që dirigjohen nga Vuçiç do të kthehen në veri, pa i raportuar Kosovës.
“Nëse bandat kriminale të dirigjuara nga Vuçiç e fitojnë shtyrjen e vendimit të targave ilegale edhe 10 muaj pa një kundërvlerë për Kosovën, atëherë ne, lëre që nuk do të fitojmë asgjë, por nuk do të mund ta kthejmë as gjendjen e mëparshme sepse po ata kriminelë do të kthehen sërish në institucionet vitale në veri të vendit, por tani pa i raportuar Prishtinës zyrtare por vetëm Beogradit”, potencon ish ministrja.
Ndërsa, lidhur me atë se çka mund të ndodhë nëse nuk arrihet marrëveshje deri me 21 nëntor, Haradinaj Stublla vlerëson se do të ketë tendencë për tensione të reja të cilat i konvenojnë Vuçiçit dhe agjendës ruse.
“Nëse nuk arrihet një marrëveshje nga kjo situatë e krijuar deri me 21, padyshim se do të kemi tendencë për krijimin e tensioneve të reja, në të cilat Beogradi tash e sa kohë investon duke shpresuar në një përshkallëzim më të madh në rajon. Situatat e tilla i konvenojnë Vuçiçit që të maskojë kundërshtimin e tij për arritjen e çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën, të heqë presionin nga insistimi ndërkombëtar që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë si shtet kandidat i BE-së, dhe t’i shërbejë agjendës ruse për shtrirjen dhe thellimin e ndikimit malinj në veriun e Kosovës përmes bandave kriminale serbe”, deklaron
Andaj, sipas ish ministres, Qeveria duhet të ketë kujdes mos t’ia servojë këtë territor manovrimi Serbisë aq lehtë, por të koordinohet me SHBA-të dhe QUINT-in.
“Qeveria e ka për detyrë të jetë e kujdesshme e të mos ia servojë këtë territor manovrimi Serbisë me kaq lehtësi, por të punojë në koordinim të plotë me SHBA dhe Quintin në përgjithësi, që situata e sigurisë të mos marrë përmasa që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e vendit tonë”, përfundon ish kryediplomatja Haradinaj-Stbulla.