Haradinaj takon fermerët e Deçanit, u premton mbështetje financiare e teknologji moderne

18:08 | 09 November 2024
haradinaj-takon-fermeret-e-decanit,-u-premton-mbeshtetje-financiare-e-teknologji-moderne

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka takuar sot fermerët nga Deçani me të cilët ka folur për masat konkrete që sipas tij, do të ndërmerren pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas Haradinajt, investimi në bujqësi garanton zhvillim dhe rritje të mirëqenies.

“Ne besojmë se investimi në bujqësi garanton zhvillim dhe rritje të mirëqenies. Angazhimi ynë për mbështetje financiare, teknologji moderne dhe hapje të tregjeve të reja do të bëjë që bujqësia në Kosovë të marrë vëmendjen e merituar”, ka përfunduar Haradinaj.

“Kosova, edhe pse vend i vogël, ka potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Mungesa e vizionit dhe politikave shtetërore e ka mbajtur këtë sektor në fund të listës së prioriteteve. Në takimin me fermerët e Deçanit, të cilët kanë arritur suksese duke siguruar mirëqenie për familjet dhe komunën, shprehëm mbështetjen që Aleanca me partnerët në koalicion ka për këtë sektor. Pas 9 shkurtit, do të ndërmarrim masa konkrete për zhvillimin e bujqësisë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka ripërsëritur të mirat që sjell anëtarësimi, siç ka thënë, direkt i Kosovës në NATO.

“Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit  Aksional do t’i sjellë një kthesë të madhe vendit. Në programin tonë kemi parashikuar këto masa:

• Rritja e subvencioneve financiare për fermerët.

• Sigurimi i kredive të buta për investime të qëndrueshme.

• Zhvillimi i skemës së subvencionit për prodhimin sekondar.

• Eliminimi i barrierave jotarifore ndaj produkteve tona.

• Subvencionimi i kostos së garancive bankare.

• Investim në standardizimin e cilësisë së produkteve.

• Rritje të kapaciteteve kadrovike në sektorin e prodhimit.

• Fuqizimi i sektorit si mundësi për punësim dhe zhvillim rural.

•  Ndërrimi i bazës ligjore duke përfshirë edhe planin hapësinor, hap që do t’i jepte hov zhvillimit të turizmit”, është shprehur Haradinaj.

Komento: