Haradinaj takon presidentin e Malit të Zi: Kosova e gatshme për marrëveshje me Serbinë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Haradinaj takon presidentin e Malit të Zi: Kosova e gatshme për marrëveshje me Serbinë

13:33 | 16 Shkurt 2019

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë.

Haradinaj deklaroi sot se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes finale ligjore obligative me Serbinë, që do të thotë njohje reciproke.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në margjinat e Konferencës së 55-të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munih të Gjermanisë.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar presidentin Gjukanoviq për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve, dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje në interes të të dy shteteve dhe popujve tanë.

Haradinaj tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim në ndërtimin e raporteve të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, duke potencuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerësoi se është më interes të Kosovës dhe Malit të Zi, thellimi i bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së popujve të dy vendeve dhe shprehu përkrahjen e plotë për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Komento: