Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se kosovarët nuk po migrojnë, raportimet e tilla dëmtojnë procesin e liberalizimit.
Haradinaj ka thënë se raportimi i mediave për migrimin e të rinjve është pasaktë.
Në një postim, kryeministri u shpreh se raportimet e tilla dëmtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”, shkruan Haradinaj
Sipas tij statistikat reale tregojnë se Kosova nuk përbën rrezik të migrimit, e që sipas tij në vitin 2018 ishin vetëm 3 mijë e 515 kërkesa për migrim, krahasuar me vitin 2015 kur 67 mijë e 545 persona kanë migruar.
Tutje ai tha se në vitin 2018 vullnetarisht në Kosovë janë kthyer 727 qytetarë.
Postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar,
Në disa media po jepen të dhëna të pasakta lidhur me migrimin e popullsisë së Kosovës, kryesisht të rinjve tanë. Statistikat e fundit reale të migrimit, tregojnë se Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 3515 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015, kur kishin e migruar 67.545 persona. Ndërsa, në vitin 2018, janë rikthyer vullnetarisht 727 qytetarë të Kosovës. Kjo tregon qartë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjës së lirë.
Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave.