Haradinaj thotë se nuk beson që ideja për bashkim kombëtar do të pritet keq nga BE-ja

21:06 | 09 Shkurt 2021

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se nuk beson që ideja e tij për bashkim kombëtar do të pritet keq nga BE-ja.

Kandidati për president nga radhët e AAK-së Ramush Haradinaj ka folur serish rreth idesë së tij për një referendum për bashkim me Shqipërinë.

Ai në Debat të RTK-së ka thënë se bashkimi me Shqipërinë do t’i tregojë Serbisë që të mos presë kompromise për Kosovën.

“Serbia të mos presë kompromise për Kosovën dhe me idenë e bashkimit i tregojmë bashkësisë ndërkombëtare se Kosova nuk do të presë pakufi dhe se edhe Kosova ka afatet e veta kohore”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj nuk pret që ideja e tij për referendum për bashkim kombëtar të pritet me skepticizëm nga Bashkimi Evropian.

“Nuk janë të befasuar, pasi që edhe ata vetë e dinë se pritja duhet të ketë një afat kohor. Ky është një opsion dhe nuk pritet keq askush. Të gjithë e kuptojnë se ne duhet të kemi një finale”, tha lideri i AAK-së, duke shtuar se deri më tash nuk është kontaktuar nga askush nga BE lidhur me idenë e bashkimit me Shqipërinë në vitin 2024, nëse deri atëherë Kosova nuk do të jetë pjesë e strukturave euroatlantike.

Haradinaj ka folur edhe rreth letrës së Joe Biden drejtuar Serbisë për njohjen e Kosovës, duke thënë se presidenti i ri amerikan qysh në fillim të marrjes së detyrës së tij zyrtare dëshiron ecjen përpara të dialogut, në mënyrë që ky proces të përfundojë me njohje reciproke.

Komento: