Haradinaj ka folur për iden e shkëmbimit të territoreve.
Daut Haradinaj në Rubikon të KTV-së tha se askush nuk duhet dëmtuar Kosovën veç pse i rrezikohet lëkura e vetë.
Këtë Haradinaj e përmendi duke iu referuar idesë për shkëmbimin e territoreve.
“Unë nuk mendoj që presidenti ka vullnet për me dëmtu Kosovën por unë nuk mendoj që nëse dikujt i rrezikohet lëkura duhet më dëmtu Kosovën. Përgjegjësia e presidentit është ta ruaj Kushtetutën, m’i ruajtur kufijtë edhe unë e kisha inkuraju që kështu të shkoj”, tha ai.
Daut Haradinaj, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, në Rubikon të KTV-së ka thënë se presidenti Hashim Thaçi me deklaratat se është për bashkim të Luginës në territorin e Kosovës po luan me ndjenjat e qytetarëve.
Veprimet e fundit karshi kësaj situate, Haradinaj i quajti fiskulltura.
“Është e pandershme me lujt me emocionet e qytetarëve tanë që padrejtësisht janë jashtë Kosovës, në këtë rast në Luginën e Preshevës. Unë bashkëndjej me ta, vijë prej asaj vije që kemi vuajtur për të ardhur liria në Kosovës dhe e di që ata janë qysh ishim ne para 22-23 viteve”, ka thënë ai, duke thënë se edhe Thaçi po luan me ta.
“As ne nuk duhet të ndalemi, qoftë qeveria e Kosovës qoftë ajo e Shqipërisë duhet të bëjnë veprime konkrete për qytetarët tanë në Luginë dhe kjo kësi fiskullturash që më shumë janë manovra që e nxjerrin më shumë një person ose dy, kushdo qofshin ata”, tha ai