Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pas një vizite që i ka bërë disa fermerëve në Rahovec tha se është konfirmuar që taksa dhe lehtësirat fiskale po mbrojnë prodhimet vendore.
Ai tha se fermerët po dominojnë tregun në Kosovë dhe se rritja e prodhimit dhe shtimi i vendeve të punës janë vendimet më madhore të vendit.
“Me vizionin e vendosur dhe të qartë për zhvillim me dinjitet, të bashkuar me projektin 100% shtet, do t’ia dalim që ta bëjmë Kosovën të tillë çfarë e duam”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ja postimi i plotë:
Inkurajues fakti se sot fermeri i Kosovës, e dominon tregun e vendit, duke fituar besimin e konsumatorit me prodhime cilësore.
Rritja e prodhimit dhe të hyrave për vendin dhe shtimi i numrit të të punësuarve, janë veprimet më madhore që mund të bëjmë tani për Kosovën, e fermerët e Rahovecit janë dëshmia më e mirë për këtë.
Në takim me mbi 50 fermerë të kësaj ane, u konfirmua se vendimi për taksën dhe lehtësirat fiskale e tatimore, po mbrojnë prodhimin vendor dhe po fuqizojnë fermerët tanë në treg.
Me vizionin e vendosur dhe të qartë për zhvillim me dinjitet, të bashkuar me projektin 100% shtet, do t’ia dalim që ta bëjmë Kosovën të tillë çfarë e duam!