Haradinja thotë se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai është me SHBA-në për çdo temë të botës, por në rastin Kosovë-Serbi, atëherë Kosova është palë dhe duhet t’i respektohet mendimi.
Sipas tij, taksa nuk rrezikon raportet me SHBA-në.
“Mendoj që i kemi disa sfida në marrëdhëniet tona me SHBA-në. Por Kosova kurrë nuk do të jetë antiamerikane. Unë jam me SHBA-në në çdo temë të botës, por sa i përket Kosovës dhe Serbisë, unë jam palë, me të cilën jam ndarë prej luftës. Kjo nuk i rrezikon raportet. Kërkesa e SHBA-së është pezullimi. Asnjë veprim i yni nuk është bilateral me SHBA-në, asnjë gabim nuk e kemi bërë”, ka thënë Haradinaj në RTK.
Haradinaj gjithashtu ka thënë se po fajësohet padrejtësisht që po e bllokon dialogun. Ai ka arsyetuar se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje dhe se taksa nuk është pengesë.
“Më vjen keq që jemi nda, sepse po të ishim bashkë, ju siguroj se do të kishim ngritur Kosovën një nivel më lart në raport me Serbisë, me BE-në dhe me Amerikën”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu është shprehur se dalja nga kjo gjendje është uniteti i skenës politike, pozitës dhe opozitës, duke theksuar me bindje të plotë se taksa nuk do të largohet.