Haradinaj: Vendit i duhet një Qeveri me mandat të plotë, për ta rimëkëmbur ekonominë

12:24 | 18 Maj 2020

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri me mandat të plotë për ta rimëkëmbur ekonominë pas tejkalimit të COVID-19.

Ai këto deklarata i ka bërë në Ferizaj, ku ka vizituar degën e AAK në këtë komunë në 20 vjetorin e themelimit të saj.

Haradinaj ka thënë se qeveria e shkarkuar e ka të pamundur që të bëjë rimëkëmbjen e ekonomisë sepse nuk ka kompetenca.

“Marrja e përgjegjësive është e rëndësishme. Qeveria e shkarkuar e ka të pamundur të bëjë rimëbkembjen. Është e nevojshme një qeveri më mandat të plotë që të fillojë rimëkëmbjen menjëherë”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka thënë se shpreson se shqetësimet rreth pandemisë do të tejkalohen. Ai ka thënë se duhet të fokusohemi në rimëkëmbjen e vendit.

“Jemi të kujtojmë 20 vjet të themelimit të AAK. Takuam disa kolegë. Ajo që është me rëndësi është ruajtja e ekonomisë. Duhet të nxitojmë me masat ekonomike që të rikthejmë ekonominë. Nëse i marrim shtete fqinj Serbia e ka hapur ekonominë dy javë përpara. Kosova nuk guxon të vonohet tepër. Duhet të kemi strategji dhe nuk guxojmë të mbesim të fundit. Kjo është tepër me rendësi”, tha ai.

Komento: