Haradinaj zbulon kur mund të ndodh liberalizimi i vizave

14:52 | 25 March 2019

Liberalizimi i vizave mbetet sfida më e madhe e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tarifa doganore e vendosur ndaj Serbisë është vendim dhe masë mbrojtëse karshi agresivitetit të Serbisë.

Haradinaj thotë se vullneti i Kosovës për dialog nuk është zbehur dhe se sipas tij, Kosova është e gatshme për dialog çdo herë por pakushte. Ndërkaq, i pyetur nëse taksa po e izolon Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se Kosovën nuk mund ta izolojë askush.

Radio Evropa e Lirë: Vendimi i Qeverisë së Kosovës, të cilën e udhëhiqni ju, për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, po shihet si pengesë dhe bllokim i dialogut me Serbinë. Çfarë do të ndërmerrni që të krijoni kushte për vazhdimin e dialogut?

Ramush Haradinaj: E kemi pasur një situatë të rëndë, të një agresiviteti të Serbisë në planin ndërkombëtar, por edhe në planin e brendshëm, me tendenca të destabilizimit të Kosovës. Njëkohësisht, edhe një pengesë jotarifore për çdo mall të prodhuar në Kosovë nuk ka mundur që të hyjë në Serbi. Taksa, si vendim i Qeverisë së vendit është një vendim që të mbrohemi nga ky agresivitet. Vullneti për dialog nuk është zbehur nga pala jonë, nga Kosova. Ne kemi kryer disa detyra të shtëpisë, në këtë rast kemi Platformën shtetërore, e kemi Delegacionin shtetëror, kemi, po e quaj ashtu një unitet jo vetëm të spektrit qeverisës politik, por edhe një pjese të opozitës. Pra, ne jemi të gatshëm për dialog, vlerësojmë se dialogu duhet të vazhdojë, pra nuk ka alternativë, pa e ndërlidhur me taksën.

Radio Evropa e Lirë: Ju vazhdimisht keni përsëritur se taksa apo tarifa suspendohet kur Serbia ta njohë Kosovën. A mendoni se njohja mund të vijë para se të nisë dialogu?

Ramush Haradinaj: Në dialog, pra në tavolinë mund të diskutojmë të gjitha temat, të gjitha, pra marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, të drejtat e komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi – në Kosovë të serbëve, në Serbi të shqiptarëve – pastaj, dëmet e luftës të gjitha ato që i kemi trashëgimi nga e kaluara tragjike e jona, por edhe perspektiva jonë evropiane dhe euroatlantike. Pra, ne jemi për dialog dhe jemi që dialogu të vazhdojë pa kushte sepse dialogu nuk ka alternativë dhe nuk mund të kushtëzohet.

Radio Evropa e Lirë: Nëse lexohet letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, aty thuhet qartë se SHBA-ja pret njohje reciproke nga ky dialog. Andaj, ku mbështetet hezitimi juaj?

Ramush Haradinaj: Ne nuk hezitojmë. Ne jemi të gatshëm për dialog që sot, pra Kosova është e gatshme, i ka kryer detyrat e shtëpisë, ka arritur në një Platformë shtetërore, të përbashkët, kemi Delegacionin shtetëror dhe jemi të gatshëm për dialog dhe shkojmë në dialog pa kushte. Pra, sa i përket Kosovës dialogu mund të vazhdojë, duhet të vazhdojë, s’ka alternativë dhe ne nuk vendosim kushte për dialogun.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë një fjalimi tuaj para masës patët deklaruar se Kosovës po i kërkohet që të japë territor për njohje. A mund të na e elaboroni më hollësisht këtë kërkesë, nga kush vjen?

Ramush Haradinaj: Tani, ka pasur diskutime, i kemi dëgjuar në publik retorikë se një ndërrim i territoreve po që kryesisht një ndarje për Kosovën do të ishte si formulë për të kënaqur Serbinë për njohje për Kosovën. Në fakt, kjo nuk është reale, pra njohja Kosovë-Serbi duhet të ndodhë në respektim reciprok të Kosovës në kufijtë ekzistues, jo vetëm një njohje si kërkim-falje, por edhe si një mundësi e ecjes përpara. Edhe për Kosovën kjo është një lloj pajtimi, pra njohja me Serbinë, nuk nënkupton amnistinë ligjore, por është një pajtim dhe një kalim nga e kaluara tragjike, nga ato kujtime, ato dhimbje që ende i kemi prezente, si çështjen e të zhdukurve, të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës – supozohet se janë rreth 20 mijë femra në Kosovë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Ne pra vlerësojmë se do të ishte një moment i kthesës, i paqes edhe mes nesh edhe Serbisë në këtë rast, po definitivisht një konsolidim i Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Pra nuk ka pasur ndonjë kërkesë tjetër, përveç asaj që është thënë nga presidenti Hashim Thaçi për ndryshim të kufijve nga pala serbe?

Ramush Haradinaj: Mendojmë se diskutimet në një moment të caktuar kohor kanë qenë serioze rreth kësaj mundësie, mirëpo nuk mund të konfirmoj preciz pra si dhe nga kush, por mendoj se në një moment të caktuar është paraqitur kjo si një opsion dhe mendoj se këtu ka ndodhur gabimi më i madh edhe i bashkësisë ndërkombëtare, por edhe i liderëve të rajonit, sepse e kanë lënë të hapur këtë mundësi. Pra, devijimi i dialogut, tani ende i vuajmë pasojat e këtyre diskutimeve, për shkak se dalja nga një dialog për normalizim në dialog për territore apo për kufi, është gati kthim në të kaluarën. E kushdo që e ka ndihmuar një agjendë të tillë, mendoj që nuk i ka bërë një shërbim të mirë paqes as në rajon dhe as më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Tash nuk ka kërkesa të tilla?

Ramush Haradinaj: Aktualisht mendoj se është një qartësi më e madhe te të gjithë se cila është formula. Formula është vetëm te njohja reciproke Kosovë-Serbi, pra një marrëveshje obligative ligjore, gjithëpërfshirëse, që përfshin të gjitha temat e hapura përfshirë edhe tregtinë e lirë, në kufijtë ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A po rrezikon Kosova që të zhytet në një izolim ndërkombëtar për shkak të këtij qëndrimi që po e mban Qeveria aktuale në raport me taksën?

Ramush Haradinaj: Qeveria e Kosovës dhe Kosova është vërtetë e përcaktuar për t’i takuar familjes evropiane dhe ajo që e definon më së miri është përcaktimi i popullit të Kosovës dhe i Qeverisë është euroatlantik. Pra, ne synojmë t’i takojmë familjes evropiane në Unionin Evropian, familjes së NATO-s që i prin Amerika dhe një miqësi me Amerikën. Është popull euroatlantik, nuk mundet askush të na izolojë ne. Mund të ketë mospajtime në ndonjë temë në vazhdimësi dhe është normale që të kemi mospajtime, sepse edhe në familje ka të këtilla. Mirëpo, ne jemi popull euroatlantik dhe s’ka se si të na izolojë askush, kurrë.

Radio Evropa e Lirë: Ju personalisht, a mund të merrni një vizë amerikane?

Ramush Haradinaj: E kam marr, mund ta marr – nuk e di për besë. Kur të ma japin, shkoj me qejf.

Radio Evropa e Lirë: Kemi një situatë të re në skenën politike sa i përket çështjes së dialogut, marrë parasysh Ligjin dhe Platformën për dialogun dhe Ekipin negociator. Qëndrimet tuaja me presidentin a janë përafruar?

Ramush Haradinaj: Fakti se ne sot kemi Platformën, që është e dakorduar në Parlament dhe përkrahet nga të gjithë ne dhe fakti se e kemi Delegacionin shtetëror të votuar, mund të merret si një bashkim ta quaj politik i të gjithë neve, në një materie të përbashkët. Kuptohet, ne vijmë ndoshta nga perspektiva të caktuara se si do të ishte dashur që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. Unë jam dhe mbetem kategorik se nuk duhet të hapim çështjen e territorit dhe kufijve sepse e rihapim të kaluarën, i rikthejmë tragjeditë e së kaluarës. Por duhet të punojmë bashkërisht, të gjitha institucionet e vendit, spektri politik, shoqëria civile së bashku me partnerët tanë për një marrëveshje me Serbinë, obligative ligjore, gjithëpërfshirëse, për njohje në kufijtë ekzistues, e që i ka disa komponentë: komponentën e anëtarësimit në BE dhe afatin kohor, të drejtat etnike, komponentën ekonomike, por edhe dëmet e luftës.

Radio Evropa e Lirë: Nuk ka njohje të reja për Kosovës që një kohë, nuk ka vizita nga kryeministra e burrështetas të ndryshëm në Kosovë, që besa edhe ju nuk keni bërë ndonjë vizitë së fundmi në ndonjë shtet, s’keni pasur ndonjë ftesë. Kaq shumë e izoluar është Kosova?

Ramush Haradinaj: Kosova është pjesë e shumë agjendave ndërkombëtare. Unë që prej ardhjes sime, prioritet i kam dhënë asaj që njihet si punët e shtëpisë dhe ajo mendoj se është detyra ime, e ekzekutivit. Ne kemi prezent, kemi ministër të Jashtëm, ka njerëz që kanë shumë e më shumë kohë dhe mundësi të daljes jashtë. Na vizitojnë edhe figura të shquara, edhe burrështetas. Sikur të isha pak më aktiv, do të mund të bënim edhe më shumë edhe të këtilla. Megjithatë, ajo që është tepër me rëndësi sipas meje, nuk vlen kurrkund, në asnjë tavolinë, më shumë sesa që je brenda vendit tënd.

Konsolidimi i Kosovës, si rasti i Ushtrisë, si rasti i disa temave të brendshme, ose ‘Trepça’, ose besa taksa – që e shoh se ka plot diskutime. Ju siguroj se është element i rëndësishëm, ne kemi qenë në një mungesë të caktuar për një ekuilibër me Serbinë dhe kishin pas filluar që të na marrin shumë më ulët sesa që jemi me të vërtetë. Detyra ime ka qenë pra që ta kthej Kosovën aty ku e ka vendin, jemi palë – i pëlqeu dikujt apo si pëlqeu–jemi palë, nuk mundet të na ashkëlojë askush, jemi palë, ekzistojmë si palë. Unë mendoj se këtë e kemi arritur. Është mirë të shkosh (në vizita) është mirë të të vijnë, vijmë e shkojmë sa të kemi qejf ne, sa të duam. Realisht, nëse ju bëjmë ftesa, vijnë plotë, mirëpo ju siguroj se thelbi ka qenë ta rikthejmë vetveten dhe me qenë vetvetja.

Radio Evropa e Lirë: Pas muajit qershor, me liberalizim të vizave apo jo?

Ramush Haradinaj: Besoj që po.

Komento: