Venimde të shumta merren pa u diskutuar shumë me të.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duket se e ka humbur pushtetin mbi ministrat e qeverisë që ai e drejton.
Dje, Ministria e Punëve të Jashtme morri vendim që të ndalojë hyrjen e të gjithë zyrtarëve serbë në Kosovë për shkak të kërcënimeve hibride dhe propagandës së vazhdueshme, e tentimeve për të inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës.
Këtë e bëri të ditur, Jetlir Zyberaj këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, duke shkruar se nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë asnjë zyrtarë serb dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen derisa nuk ndryshon sjellja e Serbisë.
I menjëhershëm ishte reagimi i zyrtarëve serbë, por jehonë bëri reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka thënë se vendimi për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është lajm i rremë.
“Më vjen mirë që nga Ramush Haradinaj kam dëgjuar se është lajm i rremë se zyrtarëve serbë u është ndaluar vizita në Kosovë”, deklaroi Bërnabiq nga Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po qëndron edhe Haradinaj, transmeton lajmi.net.
Ndërsa, Bërnabiq u “demantua”, nga këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.
“Kjo është shpifje e medieve serbe. MPJ ka marrë vendim në koordinim të plotë me kryeministrin dhe Qeverinë”, tha Zyberaj për lajmi.net.
Mirëpo, kjo deklaratë e Zyberajt u demantua nga zyrtarja për media e kryeministrit Donjeta Gashi, e cila për lajmi.net tha se Qeveria nuk ka marrë një vendim për ndalimin e zyrtarëve serbë.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë një vendim të tillë”, ka thënë shkurt ajo për lajmi.net.
Ndërkohë, ky veprim i Ministrisë së Punëve të Jashtme po shihet edhe si zbehje e hierarkisë në Qeverinë e Kosovës, ku Haradinaj duket se e ka humbur pushtetin mbi ministrat e tij.
Analisti politik Imer Mushkolaj në një prononcim për lajmi.net tha se ky veprim i Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon çakordimin dhe jo-seriozitetin e qeverisë.
“Ky veprim tregon çakordimin e Qeverisë dhe tregon jo-seriozitetin e Qeverisë, ngase merr vendime kushdo që i teket, në këtë rast, Ministria e Jashtme”, tha Mushkolaj për lajmi.net.
Ai më tutje ka shtuar se Kosova me veprime të tilla shfaqet qesharake në arenën ndërkombëtare, derisa ministritë e ministrat punojnë pa e konsultuar Haradinajn.
“Kjo situatë tregon se ministritë e ministrat punojnë siç iu teket, pa e konsultuar Haradinajn. Me veprime të tilla shteti i Kosovës shfaqet qesharak në arenën ndërkombëtare”, tha Mushkolaj më tutje.
Në qeverinë e Haradinajt gjithashtu vlen të thuhet se ministrat i shkarkojnë dhe i emërojnë vet partitë dhe jo kryeministri, e sigurisht, kjo mund të jetë edhe arsyeja pse shpesh mungon një hierarki e marrjes së vendimeve.