
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar për marrjen e detyrës.
Ai tha se pret bashkëpunim me ta, ndërsa shtoi se vendi i tij është i gatshëm ta mbështesë Kosovën në reforma e forcim të institucioneve demokratike.
“Unë i shpreh urimet e mia më të përzemërta Qeverisë së re të Kosovës. Pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me Kryeministrin Albin Kurti dhe ekipin e tij të ri të ministrave në muajt në vijim. Një Kuvend dhe Qeveri funksionale janë thelbësore që Kosova të bëjë përparim në çështjet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët e saj. Mbretëria e Bashkuar qëndron e gatshme ta mbështesë Kosovën teksa ajo avancon me reformat, forcon institucionet demokratike dhe vepron në interes të të gjitha komuniteteve”.
Hargreaves tha se Mbretëria e Bashkuar pret që Kosova të angazhohet në dialogun e BE-së dhe në stabilitetin rajonal.
“Ne gjithashtu presim me padurim angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe nxitjen e stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Ky është një moment mundësie dhe Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i besueshëm ndërsa Kosova punon për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të suksesshme”.