
Harry Kane ka hyrë në histori duke thyer një rekord që kishte qëndruar për 95 vite, ndërsa tani ka vendosur në shënjestër edhe arritjet e Cristiano Ronaldos.
Sulmuesi anglez u bë lojtari i parë anglez që nga viti 1931 që shënon 50 gola në një sezon për një klub të elitës, duke arritur këtë shifër pas vetëm 42 ndeshjeve me Bayern Munich në të gjitha garat – Bundesliga, DFB Pokal, Superkupa dhe Liga e Kampionëve.
Ky është një nivel i jashtëzakonshëm për një lojtar anglez. Para tij, rekordin për më shumë gola në një sezon nga një anglez e mbante Wayne Rooney, i cili kishte arritur maksimumi 34 gola – çka tregon sa e vështirë është të kapësh kuotën e 50 golave.
Në fakt, vetëm një anglez në histori ka kaluar ndonjëherë shifrën e 50 golave në një sezon në elitë: legjenda Dixie Dean, i cili realizoi 63 gola në vetëm 41 ndeshje gjatë sezonit 1927–28 me Everton.
Megjithatë, duhet theksuar se në atë periudhë pati një ndryshim në rregullin e ofsajdit (në vitin 1925), që çoi në rritje të madhe të numrit të golave. Pikërisht në atë epokë, edhe emra si Watson dhe Waring arritën shifra të larta, me këtë të fundit që ishte i fundit që e bëri këtë në vitin 1931.
Me deri në 10 ndeshje të mbetura këtë sezon, Kane pritet të kalojë edhe më tej këto shifra historike. Objektivi i tij mund të jetë rekordi i Dean prej 63 golash, megjithëse kjo mbetet një sfidë e madhe.
Gjithsesi, një tjetër objektiv realist është arritja e 60 golave në një sezon – diçka që vetëm tetë lojtarë në historinë e futbollit evropian e kanë bërë.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë të vetmit që e kanë arritur këtë më shumë se një herë.
Ronaldo fillimisht arriti 60 gola në sezonin 2011–12 me Real Madrid, ndërsa kulmin e tij e kishte në 2014–15 me 61 gola. Nëse Kane vazhdon me këtë ritëm, shifra 61 duket e arritshme.
Megjithatë, edhe nëse arrin këtë kuotë, ai nuk do ta thyejë rekordin e Bayern Munich për më shumë gola në një sezon nga një lojtar i vetëm. Ky rekord mbahet nga legjenda Gerd Muller, i cili realizoi 66 gola në sezonin 1972–73.
Kjo shifër është e barabartë me atë të Ferenc Deak, dhe renditet pas rekordit absolut të Lionel Messit, i cili realizoi plot 73 gola për Barcelonën në sezonin 2011–12.
Lojtarët që kanë shënuar 60 gola në një sezon evropian
1.Lionel Messi, Barcelona, 2011/12 – 73 gola
2.Ferenc Deak, Szentlorinci 1945/46 – 66 gola
3.Gerd Muller, Bayern Munich 1972/73 – 66 gola
4.Dixie Dean, Everton 1927/28 – 63 gola
5.Fred Roberts, Glentoran 1930/31 – 61 gola
6.Cristiano Ronaldo, Real Madrid 2014/15 – 61 gola
7.Willie McFayden, Motherwell 1932/33 – 60 gola
8.Josef Bican, Slavia Prague 1943/44 – 60 gola
9.Cristiano Ronaldo, Real Madrid 2011/12 – 60 gola
10.Lionel Messi, Barcelona 2012/13 – 60 gola./