Hasani: Mashtrim brutal t’u thuhet qytetarëve se të drejtat e tyre për krimet e luftës do t’i realizojnë në Strasburg

15:04 | 30 Prill 2024
hasani:-mashtrim-brutal-t’u-thuhet-qytetareve-se-te-drejtat-e-tyre-per-krimet-e-luftes-do-t’i-realizojne-ne-strasburg

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani, në një intervistë, ka folur rreth deklaratave të fundit të zyrtarëve shtetërorë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke treguar se për çka mund ta përdorin kosovarët anëtarësimin në Gjykatën e Strasburgut, ai hedh poshtë mundësinë që aty të bëhen padi për krime lufte.

“Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, thekson Hasani.

Hasani thotë se kosovarët po mashtrohen brutalisht kur po u thuhet se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg për krimet që kanë pësuar gjatë periudhës së luftës.

“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg” thekson ai.

Komento: