Hasani: Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte, qytetarët po mashtrohen

19:03 | 30 Prill 2024
hasani:-nuk-ka-asnje-mundesi-qe-kosova-te-padise-serbine-per-krime-lufte,-qytetaret-po-mashtrohen


Enver Hasani, ish -kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë për Front Online se nuk ka asnjë mundësi që edhe pas antarësimit në KiE, Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme,  të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin se nuk bie nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut.

“Jo. Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme,  të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin e thjeshtë se nuk bien nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut. Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se  kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, thotë Hasani.

Profesori Hasani tha poashtu se kur po thuhet se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në Gjykatën Strasburgut për krime lufte, qytetarët po mashtrohen.

“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg”, thekson ai.

Në fund Hasani tha se ka pasur raste kur Britania e Madhe dhe disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë qenë palë të paditura për shkelje të Konventës në territoret e pushtuara prej tyre, si p.sh. në Irak./Front Online/

Komento: